Protesta në Tiranë merr dimension ndërkombëtar, në bulevard shfaqen flamujt e diasporës shqiptare
Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Shqipëri e Re”, ka nisur marshimi i qytetarëve drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në kuadër të protestës së 14-të masive radhazi në kryeqytet.
Tubimi i sotëm po merr gjithnjë e më shumë një dimension ndërkombëtar, jo vetëm për shkak të pjesëmarrjes së emigrantëve shqiptarë që kanë mbërritur në vend pas thirrjeve për protesta mbarëkombëtare, por edhe përmes simboleve të përdorura në shesh.
Krahas flamujve kombëtarë, në protestë vihet re prania e flamujve të vendeve ku jetojnë shumë shqiptarë. Pas flamujve amerikanë dhe gjermanë të shfaqur në tubimet e kaluara, këtë të shtunë në bulevard është vënë re edhe flamuri i Britanisë së Madhe, i cili dominoi mes simboleve të huaja të mbajtura nga protestuesit.
Prania e flamurit britanik lidhet me diasporën e madhe shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po ndjek me shqetësim zhvillimet politike në vendlindje. Një numër emigrantësh kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestës, ndërsa paralelisht tubime po zhvillohen edhe në vende të ndryshme të botës ku jetojnë shqiptarë.
Përdorimi i simboleve të shteteve perëndimore po kthehet në një element të dukshëm të kësaj lëvizjeje qytetare. Përmes tyre, protestuesit kërkojnë që Shqipëria të afrohet me standardet e drejtësisë, meritokracisë dhe llogaridhënies që ata i lidhin me vendet demokratike ku shumë shqiptarë kanë ndërtuar jetën e tyre.
Protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe hapjen e një kapitulli të ri politik në vend, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijojnë të jenë mesazhi kryesor i marshimit.