Lidhje


“Duam patriot, jo piktor” – Protestë masive e shqiptarëve kundër Ramës edhe në Australi!

 

Komuniteti shqiptar në Melbourne të Australisë ka zhvilluar një tubim masiv në mbështetje të protestës në Tiranë, e cila zhvillon sot tubimin e 14-të radhazi, me pjesëmarrjen më të madhe ndonjëherë në një revoltë popullore në Shqipëri.

 

Në këtë organizim u bënë bashkë shqiptarë nga mbarë Australia, si dhe bashkatdhetarë nga Zelanda e Re, të cilët u mblodhën për të shprehur shqetësimin e tyre të thellë për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe për të kërkuar më shumë përgjegjësi, transparencë dhe drejtësi nga institucionet publike.

 

Pjesëmarrësit ngritën pankarta dhe mesazhe të qarta kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe keqpërdorimit të pasurive publike. Ata theksuan se pasuritë kombëtare, natyra, prona publike dhe e ardhmja e vendit duhet të mbrohen me çdo kusht për t’u shërbyer ekskluzivisht interesave të qytetarëve.

 

Përmes këtij tubimi, diaspora shqiptare unifikoi zërin për të kërkuar një luftë reale ndaj korrupsionit, llogaridhënie nga zyrtarët publikë, transparencë në vendimmarrje, drejtësi të barabartë për të gjithë dhe fundin e menjëhershëm të pandëshkueshmërisë.

 

Organizatorët deklaruan se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që zëri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, por që vazhdojnë të kontribuojnë dhe të interesohen për atdheun, të dëgjohet fort.

 

Njëkohësisht, ata u bënë thirrje të gjithë bashkëkombësve në Shqipëri që të mos dorëzohen dhe të mos bien pre e apatisë apo besimit se asgjë nuk mund të ndryshojë. Edhe pse pas 35 viteve zhgënjime dhe premtime të pambajtura shumë njerëz mendojnë se shpresa ka humbur, pjesëmarrësit në Melbourne përcollën mesazhin se rezistenca dhe besimi mbeten ende gjallë.

 

Në mesazhet e tyre u nënvizua se edhe pse është bërë e pamundura për ta zbehur besimin e qytetarëve, forca e secilit është më e madhe nga sa mendohet. Ndryshimi i vërtetë nis kur njerëzit refuzojnë të heshtin dhe refuzojnë të dorëzohen, ndaj Shqipëria sot ka nevojë për zërin e çdo shqiptari, brenda dhe jashtë kufijve. Motoja “Atdheu nuk shitet” u rikonfirmua si një thirrje jetike për mbrojtjen e interesit publik, të drejtësisë, të demokracisë dhe të së ardhmes së vendit.

XS
SM
MD
LG