Lidhje


Dubai, serumi në QSUT dhe sëmundja e tij, si u bë Mand Shakaj i dyshuari kryesor për rrëmbimin e Eglit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me zhdukjen misterioze të Eglant Koçit, për të cilën nën dyshime është vënë miku i tij, Armand Shakaj.Sipas informacioneve të bëra publike nga mediat, dyshimet e hetuesve u shtuan pas disa deklaratave kontradiktore të Shakajt. Fillimisht, ai kishte pretenduar se Koçi ishte kthyer nga Dubai në gjendje të rënduar psikologjike. Megjithatë, verifikimet e kryera me familjarët e të zhdukurit treguan se Eglant Koçi nuk kishte udhëtuar fare drejt Dubait.

 

Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje lidhet me kontaktet e policisë me Shakajn. Ai u kishte komunikuar autoriteteve se nuk mund të paraqitej në komisariat, pasi po merrte trajtim me serum në QSUT. Por kur efektivët shkuan për ta verifikuar këtë pretendim, ai nuk u gjet në spital, duke e bërë edhe këtë deklaratë të pavërtetë.

 

Sipas burimeve hetimore, policia dyshon se mund të kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale, që mund të ketë çuar edhe në eliminimin fizik të Eglant Koçit. Hetimet kanë zbuluar se marrëdhëniet mes Koçit dhe Shakajt ishin përkeqësuar kohët e fundit. Mbrëmjen e 4 qershorit, Shakaj dyshohet se e ka thirrur Koçin për një sqarim. Kamerat e sigurisë e kanë fiksuar Koçin duke hyrë në ambientet e biznesit të Shakajt, por jo duke dalë prej tyre.

 

Pas marrjes në pyetje, disa nga alibitë e paraqitura nga Shakaj nuk kanë bindur grupin hetimor. Pikërisht mospërputhjet në deklarimet e tij kanë forcuar dyshimet e policisë dhe kanë orientuar hetimet drejt një piste kriminale.

 

Ndërkohë, grupi hetimor ka mësuar se Armand Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunimin e spitaleve publike dhe private në vend, në rast se ai paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore./joq

XS
SM
MD
LG