Lidhje


Exit ngre pyetjen: "Pse fshihen investitorët e Zvërnecit"?

 

Ka një fakt që, çdo ditë që kalon, bëhet më i pashpjegueshëm: asnjë nga investitorët e Zvërnecit nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka thënë asnjë fjalë.

 

Madje nuk kanë dalë as administratorët e kompanive të përfshira. Nuk kanë dalë as projektuesit apo arkitektët. Nuk kanë dalë as inxhinierët dhe as ekspertët që kryeministri thotë se janë “më të mirët në botë” dhe që do të garantojnë standardet mjedisore të zhvillimit.

 

Deri tani kanë folur vetëm dy persona: kryeministri Edi Rama dhe Artur Shehu.

 

Avokati i Shehut është akuzuar nga prokuroria se ka falsifikuar dokumentet me të cilat familja Shehu ka përfituar pronat në Zvërnec dhe po pret të gjykohet në gjykatë. Ndërkohë vetë Shehu, ndonëse i padënuar, është akuzuar nga media të huaja për përfshirje në krimin ndërkombëtar.

 

Kush janë dhe pse heshtin investitorët?


Është pyetje elementare: kush harxhon miliona euro në studime, plane dhe projektime për të përgatitur një investim — dhe pastaj nuk thotë asnjë fjalë kur projekti i tij sulmohet në publik?

 

Kush është gati të hedhë 4 miliardë euro, por nuk pranon as të identifikohet?

 

Sepse, pavarësisht pretendimeve indirekte nga palë të tjera, ne nuk e dimë me saktësi kush janë investitorët.

 

Po pse investitorët kanë vendosur të fshihen pas një zinxhiri kompanish-guackë të regjistruara në Holandë?

 

Pse këta investitorë kanë deklaruar si përfitues fundorë dy persona që, në fakt, janë thjesht ekspertët fiskalë që kanë regjistruar kompanitë guackë?

 

Sipas të dhënave të regjistruesve holandezë, mes investitorëve të fshehur janë edhe pesë shqiptarë — kush janë këta pesë shqiptarë?

 

Të gjitha këto janë pyetje elementare.

 

Në projekte të kësaj përmase — që prekin mijëra hektarë tokë, zona të mbrojtura, pasuri publike dhe zhvillimin e një rajoni të tërë — identiteti i investitorëve dhe struktura e pronësisë nuk duhet të jenë sekret. Përkundrazi, transparenca është kushti minimal për të ndërtuar besim publik.

 

Nga vijnë paratë — dhe si ta dimë se janë të huaja?


Qeveria dhe opozita janë në garë këto ditë për të mbrojtur “investimet e huaja” apo “investimet amerikane”.

 

Duke e marrë të mirëqenë shqetësimin e tyre, lind pyetja: nga e dinë ata se në këtë projekt do të vijnë vërtet financime amerikane?

 

Askush nuk e ka bërë të qartë strukturën financiare të projektit — as burimin e financimit, as llojin e tij.

 

Me një strukturë pronësie dhe financimi të fshehur, ngrihet një pyetje edhe më bazike: nga e dimë se në këtë projekt do të ketë vërtet investime të huaja?

 

Skepticizmi këtu nuk është paragjykim — është mësim i hidhur nga përvoja. Qeveria na siguroi se në Durrës Marina do të investoheshin 2,1 miliardë euro nga një investitor i huaj. Në fakt, prej tij janë financuar vetëm disa dhjetëra milionë, ndërsa pjesa tjetër po kërkohet të mblidhet — pa sukses — nga shitjet në letër të apartamenteve.

 

Kur qeveria garantoi miliarda që nuk erdhën, qytetari ka çdo arsye të kërkojë prova këtë radhë, jo premtime.

 

Kush e ka verifikuar burimin e parave?


Mungesa e informacionit hap edhe një çështje që asnjë qeveri serioze nuk do ta linte pa përgjigje: a janë kryer verifikimet standarde për burimin e fondeve të këtij investimi?

 

Pyetja nuk është akuzë ndaj askujt — është detyrim ligjor i shtetit.

 

Për një transaksion ku, sipas raportimeve, rreth 100 milionë euro pritet t’i kalojnë një personi të akuzuar nga media ndërkombëtare për përfshirje në veprimtari kriminale, publiku ka të drejtë të dijë nëse janë zbatuar të gjitha kontrollet kundër pastrimit të parave.

 

Qeveria nuk ka thënë asgjë për këtë fakt.

 

Pa transparencë mbi pronësinë dhe pa dëshmi se burimi i fondeve është verifikuar, nuk është populli ai që duhet të provojë se diçka nuk shkon — është shteti që duhet të provojë se gjithçka është në rregull.

 

Ky është standardi normal për çdo investim të kësaj përmase kudo në botë.

 

Çfarë e ndalon, atëherë, qeverinë të bëjë transparencë për investitorët dhe burimin e financimit?

 

Nëse paratë janë vërtet amerikane, asgjë nuk do ta pengonte qeverinë “ta ngulte” flamurin amerikan në mes të Zvërnecit me krenari.

 

Heshtja, në vend të krenarisë, ngre pikërisht ato pyetje që nuk ngrihen kur një investim është i pastër dhe i sigurt.

 

Roli i kryeministrit: mbrojtës i paanshëm, jo palë në luftë


Këtu qëndron pika më e rëndësishme që lidhet me kryeministrin.

 

Kur një kryeministër shfaqet si mbrojtësi më i zjarrtë i një investimi privat — kur sulmon e denigron qytetarët, mediat dhe kritikët e projektit — ndërkohë që investitorët dhe burimet e financimit i mban të fshehura, ai krijon pa nevojë terren për spekulime dhe dyshime.

 

Pikërisht për t’i shmangur këto spekulime, rruga më e thjeshtë është transparenca.

 

Kryeministri duhet të jetë mbrojtës i ligjit, i procedurave dhe i interesit publik.

 

Debatin për investimin duhet ta bëjnë investitorët, ekspertët, qytetarët dhe institucionet shtetërore — jo ai vetë, i kthyer në avokat të një pale private.

 

Në fund, pyetja mbetet


Kush janë dhe ku janë investitorët e Zvërnecit?

 

Në një projekt që prek mijëra hektarë tokë, zona të mbrojtura dhe pasuri publike, padukshmëria e atyre që do të përfitojnë prej tij nuk është thjesht një hollësi që mungon.

 

Është, në vetvete, përgjigjja që duhet ta shqetësojë publikun më shumë se çdo gjë tjetër.


EXIT.AL

XS
SM
MD
LG