Lidhje


Rama nuk tërhiqet nga projekti në Zvërnec: SPAK mban të ngrira fondet, protestuesit paralajmërojnë tubim të ri

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin e fortë mbi projektin e ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e Zvërnecit, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime qytetare, protesta dhe akuza për mënyrën se si po zhvillohet investimi.

 

Në deklaratën e tij, Rama tha se zhvillimi më i fundit lidhet me verifikimin e transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec. Sipas tij, sqarimi i plotë dhe përfundimtar i origjinës së fondeve të kaluara përmes sistemit bankar krijon qartësi për investitorët, të cilët, siç u shpreh kryeministri, tashmë janë edhe pronarë të ligjshëm të pronës.

 

Rama e cilësoi pozitiv edhe vendimin e SPAK për të mbajtur të ngrira fondet e transaksionit, duke mos lejuar kalimin e tyre te shitësi, ndaj të cilit po zhvillohet një proces hetimor. Sipas kryeministrit, çështja e origjinës së pronës do të hetohet në mënyrë të pavarur dhe profesionale nga SPAK.

 

“Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës, do marrë paratë. Në rast se nuk e ka, paratë do t’i mbeten Shqipërisë dhe ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”, tha Rama.

 

Megjithatë, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve të vazhdueshme, kryeministri dha një mesazh të qartë se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga investimet e planifikuara. Rama deklaroi se qeveria do të vijojë me projektet për të cilat, sipas tij, ka marrë mandatin nga qytetarët.

 

Reagimi vjen një ditë pasi aktivistë dhe qytetarë protestuan sërish kundër zhvillimeve të parashikuara në Zvërnec. Protestuesit kanë ngritur shqetësime për pronësinë, ndikimin në territor dhe mënyrën se si po trajtohen investimet në këtë zonë.

 

Në përfundim të protestës, pjesëmarrësit paralajmëruan vijimin e mobilizimit, duke njoftuar një tjetër tubim që pritet të zhvillohet sot në orën 18:00.

XS
SM
MD
LG