Varfëria ekstreme prek mbi 245 mijë shqiptarë: jetesa e përditshme, sfidë e rëndë
Mbi 245 mijë persona, ose rreth 10.2% e popullsisë që jeton në Shqipëri, deklarojnë se e përballojnë jetesën e përditshme me shumë vështirësi, sipas të dhënave të INSTAT të rishikuara pas Censit 2023.
Edhe pse përqindja ka rënë nga 18% në vitin 2021 në 10.2% në vitin 2024, përmirësimi lidhet më shumë me rillogaritjen statistikore mbi strukturën e re të popullsisë, sesa me një rritje reale të mirëqenies.
Kjo kategori përballet me mungesë kursimesh, pamundësi për të përballuar shpenzime të papritura, vonesa në pagesën e faturave, vështirësi për të siguruar ushqim të plotë, ngrohje gjatë dimrit dhe pajisje bazike shtëpiake. Sipas raportimit, kjo shtresë kërkon politika të posaçme mbështetëse, pasi rritja ekonomike e përgjithshme nuk arrin automatikisht te familjet më të varfra.