Lidhje


“Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”, studentët protestojnë në Tiranë për shqipen në Maqedoninë e Veriut

 

Eshtë zhvilluar në Tiranë protesta në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

 

Tubimi po mbahet në sheshin “Skënderbej”, ku janë mbledhur studentë dhe qytetarë në shenjë solidariteti me protestat e zhvilluara më herët në Shkup. Me pankarta në duar, protestuesit kanë përcjellë mesazhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve. Në njërën prej tyre shkruhej: “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve.”

 

Një student shqiptar nga Maqedonia e Veriut tha gjatë protestës se ata nuk do të heshtin dhe se kërkesa e tyre nuk lidhet me privilegje, por me barazi dhe respekt. Sipas tij, ajo që nisi si problem i studentëve të drejtësisë është kthyer tashmë në një çështje kombëtare.

 

“Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon”, u shpreh ai.

 

Protestuesit kërkojnë zbatimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se gjuha amtare nuk mund të trajtohet si çështje politike apo si lëshim, por si e drejtë themelore.

XS
SM
MD
LG