Rrethimi në Vjosë–Nartë ndez protestat: pas projektit në Zvërnec janë interesa izraelite?
Aktivistë mjedisorë dhe qytetarë kanë përshkallëzuar sot reagimin kundër rrethimit dhe punimeve në zonën Porto Novo–Dalan–Zvërnec, pjesë e peizazhit të mbrojtur Pishë Poro–Nartë / Vjosë–Nartë. Për këtë të martë, 26 maj 2026, ora 14:00, PPNEA ka thirrur protestë para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë, me moton “Ndaloni masakrën në Vjosa–Narta”, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve në zonë.
Protesta vjen pas denoncimeve se zona është rrethuar dhe se punimet po zhvillohen pa transparencë të plotë publike. Organizatat mjedisore thonë se ndërhyrjet prekin një nga ekosistemet më të rëndësishme të vendit dhe rrezikojnë të kufizojnë aksesin publik në vijën bregdetare nga Dalani, Zvërneci, Porto Novo deri te Hidrovori.
Në qendër të debatit është kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e lidhur me projektin turistik në Zvërnec. Sipas të dhënave të OpenCorporates Albania, subjekti rezulton me pronësi të huaj dhe me strukturë pronësie përmes shoqërive të regjistruara jashtë Shqipërisë, ndërsa pronarë përfitues të deklaruar figurojnë Nikita Maximovich Vinogradov dhe Zoya Georgieva Gyurova.
Mediat kanë raportuar se projekti lidhet me një resort të madh turistik në Zvërnec dhe se kompania ka marrë leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa aktivistët kërkojnë publikimin e plotë të dokumenteve, lejeve dhe vlerësimeve mjedisore.
Një pikë tjetër e ndjeshme është debati mbi interesat reale pas projektit. Struktura e huaj e pronësisë, mungesa e transparencës së plotë dhe rëndësia strategjike e zonës pranë Sazanit, Karaburunit dhe bregdetit të Vlorës kanë shtuar dyshimet për interesa që lidhen me pale izraelite. Mjaftojmë të kujtojmë nje tjëtër investim të dhëndrit të presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, në ishullin e Sazanit. Për këtë arsye, aktivistët kërkojnë që institucionet të bëjnë publike jo vetëm lejet, por edhe përfituesit fundorë dhe burimin real të kapitalit.
Çështja e Vjosë–Nartës është kthyer tashmë në një përplasje të hapur mes institucioneve dhe organizatave mjedisore: qeveria e sheh projektin si zhvillim turistik, ndërsa aktivistët paralajmërojnë se pas gardhit të Zvërnecit mund të fshihet fillimi i betonizimit të një prej zonave më të ndjeshme dhe më strategjike të bregdetit shqiptar.