Shqipëria në konferencën e 8-të me BE-në, por Brukseli kërkon rezultate: reformat mbeten peng i qeverisjes
Shqipëria merr pjesë këtë të martë, më 26 maj, në Konferencën e 8-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, e cila zhvillohet në Bruksel si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim.
Në qendër të takimit do të jetë Grupkapitulli “Themeloret”, pjesa më e rëndësishme e negociatave, ku përfshihen reforma në drejtësi, të drejtat themelore, siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, administrata publike dhe kriteret ekonomike.
Edhe pse qeveria shqiptare e paraqet çdo konferencë si sukses politik, mesazhi i Brukselit mbetet i njëjtë: procesi nuk matet me ceremoni dhe deklarata, por me rezultate konkrete. Pikërisht te “Themeloret”, Shqipëria vijon të ketë sfidat më të mëdha, nga funksionimi i institucioneve demokratike deri te administrata publike dhe zbatimi real i reformave.
Nga ana e BE-së, konferenca do të drejtohet nga zëvendësministrja qipriote për Çështjet Evropiane, Marilena Raouna, ndërsa në takim do të marrë pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Takimi është parashikuar të nisë në orën 19:30, në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Konferenca vjen pas hapjes së disa grupkapitujve negociues, por faza e radhës është më e vështira: përmbushja e kushteve dhe mbyllja e kapitujve. Vetë zyrtarët evropianë kanë theksuar se “çmimi real” për Shqipërinë nuk është hapja formale e dosjeve, por mbyllja e tyre përmes reformave të prekshme.
Në këtë kuptim, takimi i Brukselit është më shumë një test përgjegjësie për qeverinë shqiptare sesa një moment triumfi. Pa rezultate të matshme në drejtësi, administratë, institucione demokratike dhe standarde ekonomike, integrimi evropian rrezikon të mbetet më shumë retorikë politike sesa proces real afrimi me BE-në.