Bileta e autobusit me kartë mund të shkojë 70 lekë, operatorët kundërshtojnë POS-in
Nga 1 qershori, operatorët e transportit publik pritet të përfshihen në detyrimin për përdorimin e terminaleve POS/POI për pagesat me kartë, por Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se kjo mund të rrisë ndjeshëm koston e biletës për qytetarët.
Sipas shoqatës, bileta urbane aktualisht kushton 40 lekë, ndërsa vetëm tarifa fikse bankare për një pagesë me kartë mund të arrijë 30 lekë për transaksion. Kjo do të thotë se, nëse kostoja i kalon qytetarit, një biletë e paguar me kartë mund të shkojë deri në 70 lekë, pa llogaritur komisionet e tjera bankare dhe shpenzimet operative.
Operatorët e transportit thonë se sistemi është i vështirë për t’u zbatuar në autobusë, për shkak të fluksit të lartë të pasagjerëve, çmimit të ulët të biletës dhe kostove të terminaleve. Ata kërkojnë nga institucionet të sqarojnë nëse tarifat bankare do t’i paguajnë qytetarët, operatorët apo shteti, si dhe nëse do të ketë një model të posaçëm elektronik për transportin publik.
Shoqata mbështet formalizimin dhe modernizimin e pagesave, por kërkon që transporti urban të trajtohet veçmas, pasi numri i madh i transaksioneve ditore dhe vlera shumë e ulët e biletës mund ta bëjnë sistemin ekonomikisht të papërballueshëm.