Arrestohet regjisori Petri Bozo pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një 7-vjeçar në Elbasan
Regjisori Petri Bozo është arrestuar nga policia pas aksidentit tragjik të së hënës në mëngjes, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeç. Mësohet se, pavarësisht dëshmisë së Bozos se nuk po udhëtonte me shpejtësi, autoritetet dyshojnë për të kundërtën.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 08:00 në aksin nacional “Elbasan–Librazhd”, saktësisht në fshatin Mengël, ku automjeti i drejtuar nga regjisori përplasi për vdekje të miturin përballë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”.
Mëngjesin e djeshëm, viktima kishte shoqëruar motrën në shkollë bashkë me nënën e tij, ndërsa vetë i ndiqte mësimet pasdite. Dëshmitarët nga vendngjarja tregojnë se teksa nëna dhe djali po drejtoheshin për në një dyqan aty pranë, i mituri dyshohet se i ka shpëtuar nga dora së ëmës, duke i prerë rrugën makinës së Bozos.