Lidhje


Ministri grek Dendias vjen në Tiranë, Athina kërkon zgjidhje në Hagë për marrëveshjen e detit

 

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, pritet të vizitojë Tiranën të hënën, më 25 maj, në një vizitë që nga mediat greke po lexohet si përpjekje e Athinës për të riaktivizuar dosjen e kufirit detar me Shqipërinë.

 

Sipas raportimeve të gazetës greke “To Vima”, Dendias pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në fokus të vizitës pritet të jenë marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, perspektiva europiane e Shqipërisë, por mbi të gjitha çështja e pazgjidhur e zonave detare mes dy vendeve.

 

Mediat greke raportojnë se Athina synon të rikthejë në lëvizje nismën për referimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, një opsion i paralajmëruar prej vitesh, por që deri tani nuk ka prodhuar një marrëveshje formale mes palëve.

 

Sipas të njëjtave raportime, pala greke kërkon përgatitjen e një kompromisi dypalësh që do t’i hapte rrugë shqyrtimit të mosmarrëveshjes për shelfin kontinental dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike në Gjykatën e Hagës.

 

Vizita e Dendias vjen në një moment kur Athina e sheh klimën mes dy vendeve si më të favorshme, pas kontakteve të fundit politike mes Tiranës dhe Athinës dhe në kuadër të mbështetjes greke për rrugën europiane të Shqipërisë.

 

Çështja e detit mbetet një nga dosjet më të ndjeshme mes dy vendeve që prej vitit 2009, kur marrëveshja e atëhershme u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Që prej asaj kohe, palët kanë diskutuar herë pas here mundësinë e dërgimit të çështjes në Hagë, por pa arritur deri më tani në një hap përfundimtar.

 

Në sfond të vizitës qëndrojnë edhe tema të tjera të rëndësishme për Athinën, si marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, siguria rajonale, integrimi europian i Shqipërisë dhe të drejtat e minoritetit grek. Megjithatë, sipas leximit të mediave greke, mesazhi kryesor i vizitës është i qartë: Greqia kërkon të hapë sërish dosjen e detit me Shqipërinë dhe të testojë gatishmërinë e Tiranës për ta çuar procesin drejt Hagës.

XS
SM
MD
LG