Lidhje


Shqipëria po zbrazet në paqe: humb 29 mijë banorë në një vit, sa një qytet i tërë

 

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë një alarm të rëndë demografik për Shqipërinë: në vitin 2024, vendi humbi rreth 12 banorë për çdo 1,000 banorë nga migrimi neto, çka përkthehet në afërsisht 29 mijë persona më pak vetëm nga emigrimi. Sipas analizës së Monitor, kjo është një tkurrje e pazakontë për një vend që nuk ndodhet në luftë.

 

Kontrasti me Bashkimin Evropian është i fortë. Ndërsa BE-ja shënoi një migrim neto pozitiv prej rreth +5.2 për 1,000 banorë, Shqipëria vijon të humbasë kapital njerëzor, veçanërisht të rinj dhe forcë pune. Vendi po goditet njëkohësisht nga emigrimi i lartë dhe rënia historike e lindshmërisë, duke hyrë në një spirale të rrezikshme plakjeje dhe tkurrjeje të popullsisë.

 

Ndryshe nga vende si Polonia, Hungaria, Estonia, Lituania apo Kroacia, që dikur përballeshin me emigrim të fortë por sot kanë stabilizuar ose kthyer trendin përmes rritjes së pagave, politikave për familjet e reja, investimeve industriale dhe teknologjike, Shqipëria ende nuk ka krijuar arsye të forta për t’i mbajtur qytetarët apo për t’i kthyer ata që kanë ikur.

 

Sipas ekspertëve, modeli i bazuar kryesisht te turizmi nuk mjafton për të frenuar boshatisjen e vendit. Shqipëria po humbet çdo vit popullsinë e një qyteti mesatar si Lezha apo Kavaja, ndërsa emigrimi po kthehet nga fazë kalimtare në gjendje kronike. Mesazhi është i qartë: emigrimi mund të frenohet vetëm duke e bërë vendin më të jetueshëm, me paga më të larta, ekonomi më të qëndrueshme dhe politika reale për familjet e reja.

XS
SM
MD
LG