Kur politika bashkohet kundër transparencës: PS-PD kufizojnë raportimet në Kuvend
Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Kuvendit, të cilat pritet të votohen në seancën plenare. Drafti i ri përcakton se në sallën e Kuvendit do të raportojnë vetëm disa institucione kushtetuese dhe të pavarura, si Avokati i Popullit, Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e KLP-së dhe KLGJ-së, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe kreu i KLSH-së.
Ndryshimi më i debatueshëm lidhet me SPAK-un: kreu i Prokurorisë së Posaçme nuk do të raportojë më në seancë plenare, por vetëm në Komisionin e Ligjeve dhe në komisionin përkatës të mbikëqyrjes institucionale. Po ashtu, institucionet e tjera do të raportojnë vetëm në komisionet parlamentare, madje jo domosdoshmërisht përmes titullarëve, por edhe përmes përfaqësuesve të tyre.
Paketa parashikon edhe ristrukturimin e komisioneve të përhershme në 11 komisione, krijimin e një komisioni të posaçëm për nismat qytetare dhe mbikëqyrjen institucionale, rregulla të reja për kandidaturat në institucionet e pavarura dhe masa më të forta disiplinore ndaj deputetëve, përfshirë ndalim page gjatë përjashtimit.
Ndryshimet janë negociuar mes PS-së dhe PD-së dhe paraqiten si konsensus i rrallë parlamentar, por pika për raportimin e SPAK-ut pritet të ngrejë debat mbi transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë.