Kroçiera jep alarmin 20 milje larg Durrësit: operacion në mesnatë për të shpëtuar britanikun
Kapiteneria e Portit Durrës mori një thirrje për ndihmë nga kroçiera Marbella Explorer II në orën 23:50, rreth 20 milje larg Durrësit, për një shtetas anglez të sëmurë në bord me simptoma të rënda që kërkonin ndërhyrje urgjente.
Kroçiera po lundronte nga Korfuzi drejt Kotor dhe menjëherë u udhëzua nga Kapiteneria e Portit Durrës që të afrohej në radë për të bërë të mundur marrjen e të sëmurit.
Gjithashtu, u njoftuan autoritetet përkatëse dhe rimorkiatori i ASHD për organizimin e operacionit të emergjencës, si dhe ambulanca për transportimin e pacientit drejt spitali, bëhet me dije nga kapeteneria e Durrësit.
Në orën 02:30, shtetasi anglez me inicialet C.P mbërriti në spital nën kujdesin e mjekëve dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në këtë operacion u angazhuan rimorkiatori Joni me ekuipazhin, FSPD, Policia Kufitare, si dhe oficerët dhe Kapiteni i Portit Durrës.