Lidhje


A u shkarkua ambasadori Meidani? MEPJ: Hamendësime të pabazuara në fakte

 

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me largimin e ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, duke i cilësuar ato si hamendësime të pabazuara në fakte.

 

Në një deklaratë për mediat, MEPJ thekson se komentet dhe interpretimet e publikuara nuk pasqyrojnë realitetin dhe as procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.

 

Sipas ministrisë, lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivel ambasadorësh, realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat e Shërbimit të Jashtëm dhe praktikat diplomatike të konsoliduara.

 

“Lëvizjet diplomatike mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, me qëllim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në reagim.

 

“Hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme”, përfundon deklarata e ministrisë.

 

Gjatë ditës së djeshme u raportua nga mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut se ambasadori ishte shkarkuar për shkak të mbështetjes së tij për protestat e studentëve.

XS
SM
MD
LG