"Durrës Marina" që po zhytet në tokë, ka arkëtuar 42 milionë euro nga shitja e apartamenteve në ajër te qytetarët
Projekti i Marinës së Jahteve në Durrës, i prezantuar si një investim strategjik prej 2 miliardë eurosh, po ngre pikëpyetje të mëdha mbi mënyrën e financimit. Sipas bilancit të vitit 2024, kompania zhvilluese “Durrës Marina sha” ka arkëtuar rreth 42 milionë euro vetëm nga parapagimet e klientëve.
Kjo shumë është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar dhe tregon se ndërtimi i godinave të para A01, A02 dhe A04 nuk po mbështetet kryesisht te kapitalet e huaja, por te paratë e mbledhura nga blerësit e apartamenteve ende të papërfunduara, pra përmes shitjeve “në ajër”.
Sipas raportit të aktivitetit, vetë kompania pranon se parapagimet janë një pjesë e rëndësishme e financimit. Ndërkohë, kostot e ndërtimit për vitin 2024 rezultojnë rreth 35 milionë euro, më pak se shuma e arkëtuar nga klientët, çka e vendos blerësin praktikisht në rolin e financuesit të projektit.
Situata bëhet edhe më e debatueshme për shkak të lehtësive të mëdha shtetërore: projekti zhvillohet mbi 818 mijë m² tokë shtetërore të kaluar falas te investitori, ndërsa kompania është përjashtuar nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe fondi i strehimit social. Pavarësisht këtyre favorizimeve, çmimet janë rritur nga 1,500–1,600 euro/m² në mbi 3,000 euro/m², duke e bërë projektin të paarritshëm për shumicën e qytetarëve.