Nufi: Fokusi, modernizimi i mbrojtjes ajrore dhe kapaciteteve kibernetike në Forcat e Armatosura
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi tha gjatë një konference për media të premten se prioritet kryesor i vendit është zhvillimi i kapaciteteve ushtarake dhe teknologjike në modernizmin e Forcave të Armatosura, por edhe përgatitja për emergjencat civile gjatë sezonit veror.
Fokus i veçantë, tha Nufi, është mbrojtja ajrore dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse kibernetike të ushtrisë për të garantuar mbrojtjen kolektive.
“Angazhimet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes janë: partneriteti i palëkundur i Shqipërisë si aleat i NATO-s, modernizimi i Forcave të Armatosura dhe rritja e kapaciteteve të tyre për mbrojtjen kombëtare dhe kontributin në operacione jashtë vendit. Ky angazhim është dëshmi e qartë e besueshmërisë së vendit tonë si aleat dhe partner në operacionet e përbashkëta.
Zhvillimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të NATO-s, ku jemi të angazhuar në operacione dhe stërvitje të përbashkëta, janë pika të rëndësishme për rritjen e angazhueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë sipas standardeve të NATO-s. Do të rrisim kapacitetet dhe modernizimin e FA në kuadër të sigurisë kolektive.
Fokusi ynë përfshin mbrojtjen ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme, sistemet dron dhe antidron, kapacitetet e mbrojtjes kibernetike, mjetet e blinduara, nxitjen e inovacionit në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin me aleatët e NATO-s dhe partnerët strategjikë”, u shpreh ministri Nufi.