Lidhje


“Pesë të vdekur në burgje” – Avokati i Popullit ngre alarmin: Të famshmit kanë avokatë, qytetarët s’kanë zë

 

Avokati i Popullit, Endri Shabani, deklaroi nga Pogradeci se fokusi i institucionit të tij nuk janë të burgosurit e famshëm, por qytetarët e zakonshëm që mbahen në burgje në kushte të rënda, shpesh pa vendim përfundimtar dhe pa akses të duhur në shërbime shëndetësore.

 

Shabani tha se vetëm në katër muajt e fundit kanë humbur jetën pesë persona në burgje, dy prej tyre nga arresti kardiak. Sipas tij, nga monitorimet e Avokatit të Popullit janë konstatuar raste kur të burgosurit kanë pritur deri në dy muaj për të takuar një kardiolog, vonesë që në raste të tilla mund të jetë dallimi mes jetës dhe vdekjes.

 

Ai theksoi se Shqipëria ka një problem serioz me numrin e lartë të të paraburgosurve, duke deklaruar se vendi është trefish mbi mesataren europiane. Ndërsa në Europë më pak se 25% e personave në burgje janë të paraburgosur, në Shqipëri një pjesë e madhe e qytetarëve mbahen pas hekurave ende pa një vendim të formës së prerë.

 

Shabani kritikoi edhe fokusin politik e mediatik te të burgosurit e njohur, duke thënë se ata kanë avokatë privatë dhe një lloj “avokatie publike”, ndërsa qytetarët e zakonshëm, të sëmurë, të moshuar apo pa zë, mbeten në kushte çnjerëzore dhe pa mbrojtjen e duhur.

XS
SM
MD
LG