Kalon me 114 vota pro rezoluta për integrimin në BE, PS dhe PD bashkojnë votat
Në një zhvillim të rrallë politik në Parlament, mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për të miratuar projekt-rezolutën për procesin e integrimit evropian të vendit.
Me 114 vota pro dhe 1 abstenim, mazhoranca dhe opozita miratuan projekt-rezolutën e hedhur për votim. Mësohet se deputeti që abstenoi është Bujar Leskaj, i Partisë Demokratike.
Në një moment kur qëndrimet mes PS dhe PD duken të thelluara, në Kuvend “doli tym i bardhë” për arritjen e konsensusit mbi këtë dokument.
Rezoluta parashikon bashkëpunim gjithëpërfshirës dhe angazhim të përbashkët për avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ajo thekson nevojën për dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, me synim garantimin e një konsensusi kombëtar mbi prioritetet europiane.
Konsensusi mes palëve politike është një nga rastet e pakta të bashkëpunimit të gjerë në Kuvend për çështje të integrimit evropian, duke sinjalizuar një qëndrim të unifikuar përballë procesit të negociatave me BE-në.