Durrës Marina në alarm nga zhytja/ Qytetarët kanë paguar 42 mln euro, Alabbar vetëm 7 mln
Lajmi i publikuar nga emisioni investigativ “Piranja” në Syri TV, se dy objekte në projektin “Durrës Marina” kanë pësuar ulje deri në rreth 30 centimetra, fillimisht nuk mori jehonën që do të pritej për një zhvillim të tillë.
Por situata mori tjetër peshë kur IKMT konfirmoi zyrtarisht se grupi i posaçëm i inspektimit kishte konstatuar ulje në dy godina të projektit që po zhvillohet në Portin e Durrësit nga kompania e lidhur me biznesmenin Mohamed Alabbar.
Sipas IKMT-së, pas verifikimeve në terren dhe raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, një nga objektet ka pësuar ulje prej 28 centimetrash, ndërsa tjetri prej 18 centimetrash. Institucioni i ka kërkuar kompanisë zbatuese marrjen e masave të menjëhershme për përforcime teknike, të cilat duhet të miratohen nga autoritetet përgjegjëse. Por konfirmimi i kësaj problematike ka hapur një pyetje më të madhe: kush e mban realisht riskun e këtij projekti?
Të dhënat e publikuara nga revista ekonomike “Monitor”, pas analizimit të bilanceve të shoqërisë “Durrës Marina sha”, tregojnë se kompania ka arkëtuar rreth 42 milionë euro nga klientët gjatë periudhës 2023–2024, kryesisht nga shitja e apartamenteve ende pa u ndërtuar. Ndërkohë, sipas të njëjtave të dhëna, Eagle Hills Real Estate Development, që përfaqëson në projekt biznesmenin nga Emiratet, ka investuar vetëm rreth 7 milionë euro në të njëjtën periudhë.
Këto shifra ngrenë dyshime të forta se barra financiare dhe rreziku i projektit nuk po mbahen nga investitori i huaj, por nga qytetarët që kanë blerë apartamente “në ajër”. Në kontratën e miratuar për projektin parashikohet që një pjesë e konsiderueshme e pagesës, deri në 40% të vlerës së apartamentit, të kryhet edhe përpara marrjes së lejes së ndërtimit, duke e lënë blerësin në një pozitë të dobët dhe me pak garanci.
Kritikat bëhen edhe më të forta për shkak se projekti është prezantuar si një investim strategjik me vlerë miliardash, ndërsa deri tani ndërtimi duket se po mbështetet kryesisht te paratë e blerësve dhe te kompanitë vendase që kryejnë punimet. Ndërkohë, shteti shqiptar është pjesë e projektit përmes aksioneve, ndërsa toka e Portit të Durrësit është vendosur në funksion të zhvillimit pa një barrë të krahasueshme financiare për investitorin.
Gazetarja ekonomike Ola Xama ka argumentuar se kostoja nuk rëndon vetëm mbi ata që blejnë apartamente, por mbi të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas saj, vendi po humbet portin më të madh strategjik, ndërkohë që për zëvendësimin e tij në Porto Romano pritet të përdoren qindra milionë euro nga fondet publike, vetëm për t’i hapur rrugë një projekti ku investimi real i kompanisë nga Dubai rezulton shumë më i ulët se shifrat e propaganduara.
Përveç pikëpyetjeve financiare, projekti përballet edhe me shqetësime teknike dhe mjedisore. Zona e ish-portit është përshkruar si e ndotur nga aktiviteti industrial, me shtresa toke të kontaminuara, det me probleme ndotjeje dhe nevojë për ndërhyrje të kushtueshme për rehabilitim. Këto elemente shtojnë një tjetër nivel rreziku për blerësit dhe për publikun.
Tashmë, pas konfirmimit të IKMT-së për uljen e dy objekteve, “Durrës Marina” nuk është më vetëm një debat për modelin e investimit, por edhe për sigurinë teknike të ndërtimeve të para. Pyetja që mbetet është nëse ky projekt do të jetë realisht një histori zhvillimi, apo një skemë ku shqiptarët humbasin portin, paguajnë koston publike dhe marrin mbi vete riskun privat të një investimi të shitur si sukses ndërkombëtar.