Skandali i kirurgut/ Avokatja e viktimës: Abuzonte prej dekadash me gra dhe vajza
Skandali që përfshiu kirurgun 72-vjeçar Nikolla Nunka në Korçë është thelluar pas deklaratës publike të avokates së 21-vjeçares që e akuzoi për ngacmim seksual.
Avokatja Refxhei Tola deklaroi këtë të mërkurë se, pas publikimit të rastit, në zyrën e saj kanë mbërritur denoncime të tjera nga gra dhe vajza, të cilat pretendojnë se janë përballur me sjellje të ngjashme nga mjeku. Sipas raportimeve të A2 CNN dhe Top Channel, Tola tha se pretendimet shtrihen në një periudhë shumë të gjatë kohore, deri në rreth 33 vite më parë.
Avokatja u shpreh se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për pretendime të përsëritura që po dokumentohen nga studioja ligjore për t’u referuar më pas pranë institucioneve të drejtësisë.
Ajo u bëri thirrje grave dhe vajzave të tjera që mund të kenë pasur përvoja të ngjashme të denoncojnë, duke garantuar asistencë ligjore dhe ruajtjen e anonimatit. Sipas raportimeve, një nga denoncimet më të fundit të referuara nga avokatja lidhet me një rast të ndodhur rreth një vit më parë.
Nikolla Nunka u arrestua pas kallëzimit të 21-vjeçares, e cila pretendon se mjeku e ka ngacmuar seksualisht gjatë trajtimit në spitalin e Korçës.
Më herët, mediat raportuan se mjeku ishte pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, ndërsa pas arrestimit është dërguar në spital për shkak të problemeve kardiake. Çështja tashmë ka marrë përmasa më të gjera publike, pasi deklarata e avokates hap dyshime për një zinxhir denoncimesh që pritet të verifikohen nga organet e drejtësisë.