Thellohet skandali në Korçë - Pas 21-vjeçares, një tjetër grua shpërthen ndaj kirurgut 72-vjeçar
Pas denoncimit të 21-vjeçares, e cila pretendon se është ngacmuar seksualisht nga kirurgu 72-vjeçar Nikoll Nunka në spitalin e Korçës, një tjetër dëshmi e rëndë ka mbërritur në redaksi. Një qytetare ka ngritur akuza të forta ndaj mjekut, duke rikthyer një ngjarje të vitit 1998, që sipas saj i ka lënë familjes një plagë të hapur prej dekadash.
Gruaja rrëfen se në atë kohë ishte kthyer nga emigracioni për të vizituar prindërit në Korçë, kur babai i saj, atëherë 58 vjeç, u shtrua në spital për probleme me stomakun. Ajo pretendon se mjekimi dhe diagnoza kanë qenë të paqarta, ndërsa familja, sipas saj, shpenzonte kursimet për trajtimin e të atit.
“Diagnoza ishte e paqartë, stomak apo tëmth, por brenda pak ditësh babai u paralizua nga gjysma e trupit dhe më pas ndërroi jetë”, shkruan ajo në dëshminë e saj.
Sipas qytetares, dhimbja e familjes shpërtheu menjëherë pas vdekjes së të atit, kur një prej familjarëve dyshohet se është përballur me kirurgun në hyrje të spitalit. Ajo pretendon se xhaxhai i saj i është drejtuar mjekut me fjalët:
“Më vrave vëllanë kot, o kriminel, dhe mos i gëzofsh ato lekë”, duke e akuzuar për neglizhencë dhe gabime në trajtim.
Gruaja thotë se është tronditur kur ka parë së fundmi fotografinë e Nikoll Nunkës në rrjetet sociale, pas publikimit të denoncimit të 21-vjeçares. “Ai është ende në detyrë në moshën 72-vjeçare. Është një plagë që nuk mbyllet kurrë”, shkruan ajo, ndërsa shton se e kupton reagimin e babait të vajzës së re që ka bërë denoncimin publik.
Në dëshminë e saj, qytetarja ngre shqetësimin edhe për heshtjen që, sipas saj, ka shoqëruar ndër vite raste të ngjashme. Ajo thekson se jo të gjithë mjekët mund të paragjykohen, por akuzon se individë të caktuar kanë abuzuar me profesionin dhe besimin e pacientëve.
Deri më tani, kirurgu Nikoll Nunka nuk ka pasur një reagim publik për akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa denoncimi i 21-vjeçares vijon të mbetet në qendër të vëmendjes.