“Shqipëria është shtëpi për hebrenjtë” - Rama hap dyert për Izraelin në sigurinë kibernetike
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin Shqipëri-Izrael, ku u mblodhën rreth 40 kompani izraelite të fushës së sigurisë kibernetike. Në fjalën e tij, Rama vlerësoi marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve, duke kujtuar mbrojtjen që shqiptarët u dhanë hebrenjve në periudhat më të errëta të historisë.
Rama tha se Shqipëria e kuptoi rëndësinë e mbrojtjes kibernetike “në mënyrën më të vështirë”, pas sulmeve të lidhura me Iranin, të cilat sipas tij erdhën pasi vendi strehoi mijëra iranianë të opozitës për arsye humanitare. Ai theksoi se këto sulme goditën sistemin digjital të shërbimeve publike, ku rreth 95% e shërbimeve janë online.
Kryeministri deklaroi se Shqipëria sot ka një nivel më të lartë të mbrojtjes kibernetike falë bashkëpunimit me Izraelin dhe ekspertizës izraelite. Në fund, Rama nënvizoi se Shqipëria mbetet një vend pa antisemitizëm dhe se hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur, duke u shprehur se “për hebrenjtë Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë”.