Shpenzimet e Kryemadhit, Meta: Jam i divorcuar, nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e saj
Ish-presidenti Ilir Meta ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe shpenzimet e bëra nga ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, duke theksuar se ata janë të divorcuar.
Gjatë replikave me prokurorët e SPAK, Meta iu referua shpenzimeve që, sipas akuzës, Kryemadhi ka kryer me kartat bankare të Adrian Shatku.“Në respekt të gjykatës duhet të sqaroj, në seancën paraprake edhe zonja Gjoka e ka kuptuar këtë histori. Unë kam statusin i divorcuar”, deklaroi Meta në sallën e gjyqit.
Ai shtoi se përgjegjësia penale është individuale dhe se nuk mund të mbahet përgjegjës për veprime të kryera, sipas tij, pa dijeninë e tij.
“Unë mos të mbaj përgjegjësi çfarë ka bërë Kryemadhi në të kaluarën, pa dijeninë time. Përgjegjësia ime është individuale”, u shpreh Meta.
Ish-kreu i shtetit mohoi gjithashtu të ketë kryer vetë shpenzime të pajustifikuara, duke deklaruar se edhe ora që mban është blerë prej më shumë se 20 vitesh.
“Më trego një shpenzim që kam bërë unë. Edhe orën e kam para 20 vitesh. Nuk i kushtoj shumë rëndësi këtyre”, tha ai gjatë seancës gjyqësore.