ISHP qetëson shqiptarët për Hantavirusin: “Nuk ka asnjë rast në vend, rreziku është shumë i ulët”
Instituti i Shëndetit Publik ka sqaruar situatën lidhur me hantavirusin, duke theksuar se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në Shqipëri dhe se rreziku për vendin, por edhe për Europën, vlerësohet shumë i ulët.
Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të ISHP-së deklaruan se situata epidemiologjike po monitorohet vazhdimisht dhe se sistemi shëndetësor është në gatishmëri për të identifikuar, izoluar dhe gjurmuar çdo rast të dyshuar.
ISHP bëri të ditur se është në komunikim edhe me autoritetet shëndetësore greke, pas raportimeve për një shtetas grek që ka qenë pasagjer në anijen turistike MV Hondius, ku është raportuar një shpërthim i hantavirusit.
Autoritetet përjashtuan mundësinë e një përhapjeje në formë pandemie, duke theksuar se nuk ka vend për alarm. Sipas ISHP-së, lloji i hantavirusit i zbuluar në anije është specifik dhe nuk gjendet në Shqipëri apo Europë, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu ndodh shumë rrallë dhe vetëm në kontakte të ngushta e të zgjatura.
Përfaqësuesi i ISHP-së nënvizoi se nuk ka kufizime për udhëtimet apo tregtinë, ndërsa deri tani në Shqipëri nuk është raportuar asnjë rast i pranisë së hantavirusit.