Rama zbulon “mrekullinë” e tenderëve: Shqipëria ia kalon BE-së, tani pritet të na marrin shembull gjermanët
Kryeministri Edi Rama doli në konferencë për shtyp me Reida Kashtën, Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe negociatoren për Kapitullin 5 të anëtarësimit në BE, për të prezantuar ecurinë e Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike.
Rama deklaroi se vendi është në një fazë shumë të avancuar në këtë sektor dhe se disa tregues e rendisin Shqipërinë më mirë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Ai iu referua një raporti të Gjykatës Europiane të Llogarive, sipas të cilit në vendet e BE-së ka pasur rënie të konkurrencës në kontratat publike.
Sipas kryeministrit, Shqipëria ka mesatarisht 3.7 ofertues për procedurë, ndërsa mesatarja e BE-së është 3.2. Ai tha gjithashtu se kontratat me një ofertues të vetëm në Shqipëri janë 23.3%, krahasuar me 32.3% në vendet e BE-së. Për punët publike në vitin 2025, Rama deklaroi se vetëm 12% e prokurimeve janë mbyllur me një ofertues të vetëm, ndërsa mesatarja e BE-së është 14%.
Në përfundim, Rama e paraqiti këtë si dëshmi se Shqipëria është e pozicionuar mirë në negociatat me BE-në dhe se ka bërë progres të dukshëm në standardet e konkurrencës në prokurimet publike.