Durrësi përgjaket sërish nga alkooli: dy shoferë të dehur, një viktimë në Gjirin e Lalëzit
Pa u shuar ende tronditja nga aksidenti tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën pasi u përplasën në trotuar nga një drejtues mjeti i dyshuar në gjendje të dehur, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Rreth orës 22:00 të së shtunës, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në këtë zonë, duke shkaktuar vdekjen e një 57-vjeçari, i cili ndodhej si pasagjer në njërin prej mjeteve. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe dy drejtuesit e automjeteve, si dhe një pasagjer tjetër.
Pas kryerjes së veprimeve në vendngjarje, policia ka konstatuar se të dy drejtuesit e mjeteve kishin qenë duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur. Për këtë arsye, ata janë arrestuar në flagrancë, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar plotësisht dinamikën e aksidentit.
Ngjarja ka rikthyer edhe një herë alarmin për drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit, veçanërisht pas tragjedisë së fundit në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur. Brenda pak ditësh, alkooli në timon është kthyer sërish në shkak të një bilanci të rëndë në rrugët e qarkut, këtë herë me një viktimë dhe tre të plagosur në Gjirin e Lalëzit.