Me 10 milionë lekë të vjetra kapital, Donald Veshaj kërkon leje ndërtimi për kullë 33 kate mbi tokë dhe 4 nëntokë në Vlorë
Donald Veshaj, një personazh i njohur për jetën e tij artistike si këngëtar dhe humorist, do të jetë tashmë edhe ndërtues. Kompania e themeluar prej tij dhe shtetasit Glenis Çobo ka aplikuar për leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit, për kullë banimi dhe hotelerie në Vlorë. Bëhet fjalë për një objekt që do të ketë funksion të përzierë rezidencial dhe hotelier, me 33 kate mbi tokë dhe me 4 kate nën tokë.
Kompania e dy të rinjve nga Vlora por tashmë me banim në Tiranë, sipas të dhënave të dorëzuara në aktthemelimin e biznesit, quhet “DGC” sh.p.k, dhe me aq sa kuptohet lidhet me inicialet e emrave të Donaldit dhe Glenis Çobos.
Shoqëria “DGC” SHPK është themeluar dy vite më parë, më datë 28/02/2024, mes shtetasve Donald Veshaj dhe Glenis Çobo, raporton neësbomb.al.
Objekt i aktivitetit të saj është veprimtaria në fushën e ndërtimit dhe investimeve në ndërtim; Projektim plane rregullues qendra banimi, studime urbanistike, ndërtime civile, ekonomike, industriale etj.
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është mbledhur të mërkurën e datës 29 Prill dhe ka pranuar mes dhjetëra lejeve për godina banimi, hotele e resorte, edhe lejen e ndërtimit për 33 katëshin në Vlorë, me zhvillues kompaninë e Donald Veshaj dhe mikut të tij.
Tashmë, pritet që me zbardhjen e vendimit, të shohim nëse kryeministri Edi Rama si kryetar i KKT-së, e ka miratuar apo jo këtë leje.
