Lezhiani terrorizon sheshin me makinë pa targa, dy policët heronj shmangën tragjedinë në zemër të Tiranës
Një incident i rëndë, që për pak mund të ishte kthyer në tragjedi, është regjistruar në qendër të Tiranës, pranë sheshit “Skënderbej”. Një automjet tip “Toyota Verso”, pa targa, ka hyrë me shpejtësi në zonën pedonale, duke thyer kangjellat mbrojtëse dhe duke vënë në rrezik jetën e dhjetëra qytetarëve dhe turistëve që ndodheshin në zonë.
Në timonin e mjetit ishte Viktor Ndoka nga Lezha, i cili prej rreth 10 vitesh jetonte në Angli. Sipas informacioneve, ai ka lëvizur me shpejtësi përgjatë bulevardit “Zogu i I” dhe më pas është futur në sheshin kryesor të kryeqytetit, duke shkaktuar panik te kalimtarët. Automjeti përfundoi i përplasur pranë gurëve dekorativë në afërsi të Muzeut Kombëtar, ku fatmirësisht u ndal edhe “udhëtimi” i rrezikshëm i shoferit.
Një rol vendimtar në shmangien e pasojave të rënda patën dy efektivët e Policisë Bashkiake, Arkid Rizvani dhe Rigert Kasa. Sipas burimeve hetimore, drejtuesi i mjetit tentonte të vijonte lëvizjen drejt pjesës së brendshme të sheshit, ku ndodheshin grupe turistësh dhe qytetarësh. Në një moment vendimtar, efektivi Rigert Kasa ka arritur t’i marrë çelësin nga timoni dhe të aktivizojë frenën e dorës, duke neutralizuar automjetin dhe duke parandaluar një skenar shumë më të rëndë.
Pas ndalimit, Viktor Ndoka mësohet se ka deklaruar me tone të larta se po shkonte drejt Ambasadës Amerikane për të denoncuar kryetarin e Bashkisë Lezhë. Shpjegimi i tij nuk ka bindur as qytetarët e pranishëm dhe as uniformat blu, ndërsa ngjarja ka ngritur menjëherë pikëpyetje mbi gjendjen e tij psikologjike dhe motivet e veprimit.
Ndoka u shoqërua në Komisariatin Nr. 3, ndërsa për rastin u interesua edhe sektori antiterror. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal nr. 6342 për veprat “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kundërshtim i punonjësit që kryen detyrën shtetërore”. Organi i akuzës kërkoi masën “arrest në burg” për 2 muaj, por Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për 45 ditë dhe urdhëroi kryerjen e ekspertizës psikologjike për të arrestuarin.
Ngjarja ka rikthyer debatin për sigurinë në zonat pedonale të kryeqytetit. Sheshi “Skënderbej”, një nga hapësirat më të frekuentuara nga qytetarët dhe turistët, u kthye për disa minuta në një zonë paniku, duke treguar se mjafton një automjet pa targa, një drejtues jashtë kontrollit dhe një “mision personal” për të rrezikuar jetën e njerëzve në zemër të Tiranës.