Lidhje


Makina pa targa çau sheshin “Skënderbej”: panik mes kalimtarëve, antiterrori futet në hetim

 

Vetëm pak ditë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku dy fëmijë të mitur humbën jetën, Tirana është përballur me një tjetër ngjarje të rëndë, e cila për fat nuk përfundoi në tragjedi. Një automjet tip “Toyota Versus”, pa targa, ka hyrë me shpejtësi në zonën e sheshit “Skënderbej”, duke thyer kangjellat metalike në hyrje dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve, turistëve dhe punonjësve të policisë bashkiake që ndodheshin aty.

 

Sipas informacioneve të raportuara, makina kishte lëvizur fillimisht me shpejtësi në bulevardin “Zogu i I”, përpara se të futej dhunshëm në hapësirën publike të sheshit qendror. Dëshmitarët janë detyruar të largohen me nxitim për të shmangur përplasjen, ndërsa automjeti ka përfunduar pranë Muzeut Kombëtar, ku është përplasur me një prej gurëve dekorativë.

 

Edhe pas përplasjes, drejtuesi i mjetit nuk është ndalur. Ai ka vijuar t’i japë gaz makinës, në përpjekje për të hyrë më thellë në shesh, ku në ato momente ndodheshin edhe grupe turistësh. Situata është neutralizuar falë ndërhyrjes së dy punonjësve të policisë bashkiake, të cilët kanë vrapuar drejt automjetit dhe kanë arritur ta ndalojnë përpara se të shkaktonte pasoja më të rënda.

 

Njëri prej efektivëve ka mundur të fusë dorën në timon, të heqë çelësin nga kuadri dhe të ngrejë frenin e dorës, duke bërë të mundur ndalimin e plotë të makinës. Drejtuesi i automjetit është identifikuar si Viktor Ndoka, me origjinë nga Lezha, i cili rezulton se ka jetuar për rreth 10 vite në Angli.

 

Në momentin e ndalimit, Ndoka ka shfaqur sjellje agresive, duke bërtitur dhe duke kërkuar që ta linin të qetë. Para forcave të rendit, ai ka pretenduar se synonte të shkonte në Ambasadën Amerikane për të denoncuar kryetarin e Bashkisë së Lezhës. Pas ndërhyrjes së policisë bashkiake, në vendngjarje ka mbërritur patrulla e Komisariatit Nr. 3, e cila ka bërë shoqërimin e tij.

 

Për shkak të mënyrës së pazakontë të ngjarjes dhe rrezikut që paraqiti, rastit i është kushtuar vëmendje edhe nga sektori i antiterrorit, i cili ka kërkuar të marrë kontakt dhe të intervistojë autorin. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal me numër 6342, duke ngritur ndaj Ndokës akuzat për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe kundërshtim të punonjësit që kryen detyrën shtetërore.

 

Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për një afat dy mujor, por Gjykata e Tiranës vendosi që Ndoka të qëndrojë në qeli për 45 ditë. Gjatë kësaj periudhe, gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekspertimi të hollësishëm psikologjik, për të sqaruar gjendjen mendore të tij në momentin kur kreu veprimin e rrezikshëm.

XS
SM
MD
LG