Lidhje


Vendos SHBA, jo Prishtina! FSK drejt Gazës – misioni në dorë të gjeneralit amerikan

 

Vendimarrja për nisjen e anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt misionit ndërkombëtar në Gaza, në kornizën e marrëveshjes së Bordit të Paqes nuk do të merret nga institucionet e Kosovës. Sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, vendimarrja i takon Shteteve të Bashkuara dhe përkatësisht gjeneralit amerikan të Forcës Stabilizuese që do ta udhëheqë operacionin.

 

Gjatë një interviste për Klan Kosovën, Kastrati tha se SHBA-të do të sigurojnë mbështetje logjistike për këtë mision duke qenë se kapacitetet e Kosovës për transport dhe organizim të një operacioni të tillë janë të kufizuara. Sidoqoftë, duke qenë se FSK janë trajnuar nga NAT0, sipas Kastratit, janë të përgatitura.

 

“Nuk varet prej Kosovës kur janë me u nis, varet nga gjenerali amerikan atje, ai do të ftojë forcat dhe sigurisht se kur do të duhet të zbarkojë aty. Kjo varet nga Amerika sepse do të jemi në mbështetje logjistike të amerikanëve, sepse ne nuk kemi mundësi t’i bartim gjithë këta njerëz e mjete që janë të nevojshme për këtë operacion. Amerika do të ofrojë mbështetje logjistike. Kjo varet nga planifikimet atje. Edhe për kohëzgjatjen varet se sa do të kërkojë gjenerali amerikan. Mendoj se FSK është përgatitur me standard të NATO-s, partneri ynë strategjik është ShBA, në veçanti sigurisht që SHBA e ka komandën në Gaza, dhe sigurisht një trajtim, ia kushtojnë kësaj. Edhe ato e përcjellin këtë operacion. Edhe pse janë forca ndërkombëtare atje, edhe mund të ballafaqohet edhe me raste ekstreme. Do të thotë, në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura” tha ai.

 

Kastrati thekson se angazhimi në këtë mision do të sjellë përfitime të mëdha për Kosovën, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në atë politik dhe diplomatik.

 

“Dhe sigurisht që do ta bëjnë edhe Kosovën krenare me këtë operacion, pra përfiton shumë në aspektin ushtarak sepse merr përvojë shumë të madhe, por edhe në aspektin politik dhe diplomatik do të përfitojë, sepse kemi qenë konsumues të sigurisë dhe po e kthejmë investimin e partnerëve tanë, tash ne jemi të gatshëm që të japim kontribut”, u shpreh ai.

 

Sa i përket rolit konkret në terren, ai nënvizon se FSK pritet të angazhohet kryesisht në deminim dhe me oficerë shtaborë.

 

“Atje do të shkojë deminimi dhe ndonjë oficer tjetër shtabor. FSK është lider në deminim, atje shumë bomba e raketa janë të shpërndara dhe mendoj se pasi FSK është lidere në këtë fushë, FSK do të marrë ftesë nga gjenerali amerikan atje. Mendoj që ka mundësi që të ofrojë oficerë shtaborë që kanë kryer specializime në krejt shtetet e NATO-s, por edhe policia ushtarake është e aftë” tha Kastrati.

XS
SM
MD
LG