Lidhje


Presidenti/ Kurti: I dhamë LDK-së postin e zv.kryeministrit dhe 4 ministri, por na thanë JO!

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se takimi me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk solli rezultat konkret, duke e cilësuar procesin e bisedimeve si të dështuar.

 

Sipas tij, asnjë nga propozimet e paraqitura nga Vetëvendosje nuk u pranua nga pala tjetër. Kurti bëri të ditur se LDK-së i ishte ofruar një rol i rëndësishëm në një qeveri të përbashkët, përfshirë postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Jashtme dhe tre dikastere të tjera. Ai shtoi se kishte sugjeruar që vetë Abdixhiku të merrte rolin e zëvendëskryeministrit, si një mundësi për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi.

 

Kreu i qeverisë paralajmëroi se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të cilat ai i konsideron të panevojshme dhe me kosto për shtetin. Sipas tij, një proces i tillë do të rëndonte buxhetin me të paktën një milion euro dhe nuk do të prodhonte zgjidhje, pasi nuk do të sigurohej shumica e nevojshme prej 80 deputetësh për funksionimin normal institucional.

 

Kurti theksoi se ishte bërë edhe një kompromis lidhur me ndarjen e posteve të larta shtetërore. Ai propozoi që kryetarja e Kuvendit, Haxhiu, të kalonte në pozicionin e nënkryetares, ndërsa drejtimi i Kuvendit t’i jepej LDK-së. Sipas tij, kjo do të mundësonte krijimin e qeverisë pa nevojën e zgjedhjeve të reja.

 

Megjithatë, edhe ky variant nuk u pranua. Kurti u shpreh se nuk kishte pasur insistim për emra të caktuar, duke kujtuar se Glauk Konjufca kishte deklaruar gatishmëri të tërhiqej nëse do të kishte një figurë konsensuale. Ai shtoi se Vetëvendosje nuk ka synuar domosdoshmërisht të mbajë të tre postet kryesore të shtetit, por kishte marrë iniciativën për të propozuar zgjidhje konkrete në mungesë të alternativave nga pala tjetër.

 

Sipas Kurtit, LDK-ja nuk ka paraqitur kërkesa të qarta, përfshirë edhe çështjen e presidentit. Ai theksoi se nuk mund të ofronte diçka që nuk ishte kërkuar nga vetë partneri potencial, ndërsa shtoi se Konjufca mbetet një nga figurat më të votuara në vend.

 

Duke folur për raportet me PDK, Kurti bëri të ditur se ka komunikuar me kryetarin Bedri Hamza, por theksoi se oferta për bashkëqeverisje kishte qenë ekskluzivisht për LDK-në. Ai shtoi se PDK kishte kërkuar një marrëveshje pa kushte, ku kandidatët do të propozoheshin prej tyre dhe të votoheshin nga Vetëvendosje.

 

Në fund, Kurti kritikoi mungesën e gatishmërisë për dialog nga partitë e tjera, duke theksuar se takimet politike janë të zakonshme, por sipas tij, ka një tendencë për të shmangur bashkëpunimin me të. Ai e cilësoi këtë si një formë bojkoti, duke mohuar që mungesa e marrëveshjes të vijë nga ana e tij.

XS
SM
MD
LG