Lidhje


“Do ta bëjmë për ty!” – Rashiq zbulon bisedën me Kurtin për tokën e Manastirit të Deçanit, shpërthejnë reagimet në Kosovë

 

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka deklaruar se vendimi për bartjen e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u realizua pas këmbënguljes së tij personale. Në një intervistë për Radio Gorazhdec, Rashiq tha se kryeministri Albin Kurti i kishte thënë para mbledhjes së qeverisë: “Do ta bëjmë, por e di – për shkakun tënd.”

 

Deklarata e ministrit ka shkaktuar reagime të forta politike në Kosovë. Ish-kryeministri Avdullah Hoti tha se kjo dëshmi “e zhvesh nga retorika politike” Kurtin, duke kujtuar se për vite vendimi për tokën e manastirit ishte cilësuar si “tradhti”, ndërsa në pushtet u miratua pa hezitim.

 

Edhe figura të tjera të opozitës reaguan ashpër. Daut Haradinaj nga AAK deklaroi se nëse Kurti nuk e mohon këtë version, çështja mund të konsiderohet “më shumë se tradhti kombëtare”. Ndërsa deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra tha se drama politike e viteve të kaluara rezulton të ketë qenë “shumë më e thjeshtë sesa u paraqit publikisht”.

 

Vendimi për regjistrimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit u zbatua në mars 2024 nga qeveria e Kosovës, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Kryeministri Kurti atëherë deklaroi se zbatimi i këtij vendimi ishte i rëndësishëm për procesin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, edhe pse anëtarësimi nuk u realizua.

XS
SM
MD
LG