Kurti i jep përgjigje dilemës së madhe: Ja pse nuk e kandidova Vjosa Osmanin!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presidentja aktuale, Vjosa Osmani, nuk ka garantuar sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e presidentit, prandaj sipas tij ajo nuk është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një konferencë për media, Kurti tha se kjo ishte e ditur paraprakisht dhe se situata u konfirmua edhe gjatë votimit në Kuvend.
“Ne e kemi ditur paraprakisht që as presidentja aktuale, as presidenti potencial nuk na garantojnë kuorumin. Kjo u tregua mbrëmë me ata 66 deputetë. Në këtë situatë ne kemi bashkëpunuar me partitë tjera. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne kemi vepruar ashtu siç kemi vepruar dhe në fund erdhëm në situatën ku nuk ishte kandidatë edhe presidentja aktuale”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se ishte Partia Demokratike e Kosovës ajo që, sipas tij, e nisi praktikën e propozimit të kandidatëve partiakë.
“Në këtë rast, në fund ne propozuam Glauk Konjufca dhe besoj se kryesia nuk ka gabuar”, u shpreh ai.
Kurti ka komentuar edhe deklaratën e presidentes Osmani, e cila kishte thënë se zgjedhjet u shkaktuan nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”. I pyetur për këtë deklaratë, ai tha se nuk e di pse ajo mund t’i jetë referuar atij.
“Nëse zonja presidente s’ka folur me emra, nuk e di pse iu ka shkuar mendja tek unë. Nuk e di që jemi të përmendur, por nëse kishte të drejtë, përgjigjen duhet ta kërkoni te ajo që e ka thënë. Të papërgjegjshëm kanë qenë ata që nuk ishin mbrëmë në seancë”, ka deklaruar Kurti.