Lidhje


BE përplaset për Serbinë: Në tryezë pezullimi i fondeve pas ligjeve për gjyqësorin

 

Më 25 shkurt, me nismën e Gjermanisë, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian zhvilluan një diskutim urgjent mbi zhvillimet e fundit në Serbi, pas miratimit të ligjeve të reja për gjyqësorin, të cilat Komisioni Evropian i cilësoi si një hap prapa në fushën e sundimit të ligjit.

 

Debati nuk prodhoi vendime konkrete, por disa shtete kërkuan që të shqyrtohet mundësia e pezullimit të fondeve nga Plani i Rritjes për Serbinë, në rast se ligjet e kontestuara mbeten në fuqi. Në të njëjtën kohë, një pjesë e vendeve anëtare vlerësuan deklarimin e Beogradit se nuk do ta zbatojë ligjin deri në publikimin e opinionit të Komisionit të Venecias, i cili pritet në qershor.

 

Sipas burimeve diplomatike, disa vende – mes tyre shtete skandinave, baltike dhe Holanda – shprehën shqetësim të thellë, duke theksuar se ndryshimet në sistemin gjyqësor përbëjnë një regres në një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit evropian. Disa prej tyre i kërkuan Komisionit Evropian të marrë në konsideratë ngrirjen e pagesave nga Plani i Rritjes nëse rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk respektohen.

 

Në diskutim u përmend edhe retorika në rritje anti-BE në Serbi, si dhe qëndrimi i Beogradit për të abstenuar në votimin e rezolutës për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, çështje që shtuan rezervat e disa kryeqyteteve evropiane.

 

Nga ana tjetër, një grup shtetesh – përfshirë Francën, Italinë, Hungarinë dhe Sllovakinë – mbështetën një qasje më të kujdesshme, duke argumentuar se një pezullim i menjëhershëm i fondeve do të dëmtonte perspektivën strategjike të afrimit të Serbisë me BE-në. Këto vende rikujtuan se edhe në dhjetor 2025 kishin mbështetur rikthimin në tryezë të hapjes së Grupit 3 në negociatat e anëtarësimit, duke u bazuar në parimin e meritës dhe në vlerësimin teknik të Komisionit Evropian se Serbia kishte përmbushur kushtet e nevojshme.

 

Burimet diplomatike bëjnë të ditur se disa shtete anëtare theksuan gjithashtu se kritikat ndaj ligjeve për gjyqësorin do të kishin më shumë peshë nëse BE-ja do të pranonte edhe përparimet e arritura nga Serbia në fusha të tjera.

 

Diskutime të ngjashme janë zhvilluar disa herë gjatë muajit shkurt në kuadër të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet Kandidate (COELA), ku janë analizuar pasojat e mundshme të këtyre ndryshimeve ligjore.

 

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse Serbia ka përmbushur kushtet paraprake për disbursimin e fondeve nga Plani i Rritjes. Sipas rregullave në fuqi, këto kushte përfshijnë funksionimin e sistemit demokratik, respektimin e sundimit të ligjit dhe, në rastin e Serbisë dhe Kosovës, angazhimin konstruktiv në dialog.

XS
SM
MD
LG