Gjykata e Shkupit lë në arrest shtëpie ish-ministrin Artan Grubi
Gjykata Penale e Shkupit ka vendosur që ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi të qëndrojë nën “arrest shtëpiak”, në vend të paraburgimit të mëparshëm, në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Lotaria Shtetërore”. Ky ndryshim u bë për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë e tij personale.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup, e cila propozoi masën e arrestit shtëpiak, njoftoi se procedurat ndaj Grubit do të vazhdojnë, pasi ai është paraqitur vullnetarisht dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me autoritetet.
Duke qenë se provat janë të shumta, procesi do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, pas të cilave të dyshuarit do t’i jepet mundësia të japë mbrojtjen e tij.
Autoritetet shpjeguan se vendimi për të zëvendësuar paraburgimin me arrest shtëpiak, duke i konfiskuar pasaportën, u mor duke marrë parasysh faktin që një pjesë e konsiderueshme e provave është siguruar, se Grubi është paraqitur vullnetarisht dhe se siguria e tij në njësinë e paraburgimit nuk mund të garantohej.
Prokuroria shtoi se shqetësimet përfshijnë edhe anëtarët e familjes së tij. Më parë, Grubi u mor në pyetje për rreth 6 orë nga prokurorët.
Artan Grubi, i cili ka mbajtur poste të larta qeveritare, përfshirë zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u arrestua më herët gjatë ditës në pikën kufitare Bllacë. Pas arrestimit, ai u transferua në njësinë e paraburgimit në Shutkë dhe më pas u dërgua për marrje në pyetje në prokurori.
Ai ishte larguar nga Maqedonia e Veriut në kohën kur filluan procedurat paraprake për “Lotarinë Shtetërore”. Pas largimit të tij, autoritetet vijuan hetimet në mungesë dhe ndërmorën veprime ligjore, duke e përfshirë Grubin në listën e personave të kërkuar./AA