Vuçiç shpërthen ndaj Perëndimit: “Kosova hapi Kutinë e Pandorës së rendit botëror!”
Në 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, reagoi me një deklaratë të fortë gjatë një interviste për mediat serbe, të dhënë në kuadër të një vizite zyrtare në Indi.
Vuçiç u shpreh se me njohjen e pavarësisë së Kosovës “u hap Kutia e Pandorës e padrejtësisë dhe e shkatërrimit të shteteve sovrane”, duke e cilësuar atë një precedent me pasoja të rënda globale.
“Është mirë të analizohet pas 18 vitesh se sa katastrofike ishin pasojat, jo vetëm për Serbinë, jo vetëm për rajonin, por edhe për Evropën dhe botën ato vendime tepër të gabuara,” tha ai.
Presidenti serb akuzoi drejtpërdrejt NATO-n, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për vendimet e marra në vitet 1999 dhe 2008, duke deklaruar se “me vendimin e të fuqishmëve, të cilët në atë kohë as nuk interesoheshin për të drejtën ndërkombëtare”, u vendos një standard i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Ata mendonin se ishin të gjithëpushtetshëm dhe të plotfuqishëm, se ishin përfaqësues të Zotit, të cilët me mjetet, armët dhe pasurinë e tyre të madhe mund të shpërndanin drejtësi me zjarr dhe shpatë ashtu siç dëshironin,” u shpreh Vuçiç.
Ai shtoi se vendet që mbështetën pavarësinë e Kosovës “duhet të shpjegojnë dhe të përdorin të njëjtat argumente që përdorëm ne 18 ose 27 vjet më parë”, duke argumentuar se “fillimi i rënies së rendit botëror ishte në atë periudhë midis viteve 1999 dhe 2008”.
Megjithatë, Vuçiç pranoi se Serbia ka bërë edhe gabime të brendshme në vitet ’90 dhe 2000, duke përmendur “angazhimin e pamjaftueshëm” dhe “konfliktet e brendshme që prodhuan tensione”, si edhe mungesën e një lidershipi të fortë në atë kohë.
“Kanë kaluar 18 vjet, çdo vit po bëhet më e vështirë, por ata nuk arritën ta thyenin Serbinë,” përfundoi ai.