Mbreti Charles III uron 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës
Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Mbreti Charles III sot në 16 shkurt i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe duke riafirmuar përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.
Në letrën e tij, Mbreti Charles III shprehet se kjo ditë përbën një mundësi të veçantë për reflektim mbi historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ai shpreh inkurajimin e tij për fuqinë e lidhjeve dypalëshe dhe thekson rëndësinë e ruajtjes së këtyre marrëdhënieve të forta edhe për dekadat e ardhshme.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”,theksohet në mesazh.
Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla gjithashtu kanë përcjellë urimet e tyre për paqe, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe solidaritetit në përballimin e sfidave globale.
Ky mesazh është gjithashtu një shenjë e qartë e përkushtimit britanik për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj të zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Ambasada Britanike në Kosovë ka publikuar këtë letër, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimësinë e dialogut politik dhe ekonomik midis dy shteteve, si dhe përkushtimin për të punuar së bashku në çështje globale si ndryshimet klimatike, ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm.