Lidhje


BE paralajmëron Serbinë: 1.6 miliardë euro në rrezik!

 

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund të bllokojë fondet e parashikuara për Serbinë nga paketa prej 1.6 miliardë eurosh, e përbërë nga kredi dhe grante, pas miratimit në Beograd të ligjeve që, sipas Brukselit, minojnë besimin në përkushtimin e vendit ndaj sundimit të ligjit. Sinjalin e dha komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cila theksoi se zhvillimet e fundit e vështirësojnë mbështetjen politike për Serbinë brenda institucioneve evropiane.

 

Ndryshimet ligjore për riorganizimin dhe centralizimin e sistemit gjyqësor, që hynë në fuqi këtë javë, janë kundërshtuar nga gjyqtarë dhe prokurorë në Serbi. Sipas tyre, këto reforma forcojnë ndikimin e presidentit Aleksandar Vuçiç mbi drejtësinë, dobësojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe krijojnë pengesa të reja në procesin e integrimit evropian. “Këto amendamente po e gërryejnë besimin. Për ata në Bruksel që mbështesin përparimin e Serbisë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të argumentojnë në favor të saj”, deklaroi Kos.

 

Komisioni Evropian po analizon aktualisht financimin e Serbisë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një program që synon afrimin e rajonit me standardet dhe rregullat e BE-së përmes integrimit gradual. Brenda këtij mekanizmi, Serbisë i janë caktuar 1.6 miliardë euro në formë kredish dhe grantësh, të cilat kushtëzohen nga përmbushja e kritereve që lidhen me sundimin e ligjit.

 

Edhe pse Serbia hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2014, ritmi i progresit ka qenë i ngadaltë, kryesisht për shkak të korrupsionit dhe mangësive në funksionimin institucional. Pas reagimeve kritike, autoritetet serbe i janë drejtuar Komisionit të Venedikut, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, për të marrë një opinion mbi ligjet e miratuara. Kos theksoi se, pas publikimit të këtij opinioni, pritet që legjislacioni të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me rekomandimet.

XS
SM
MD
LG