Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve hyn në fazën përfundimtare në Hagë
Gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi — ka hyrë sot në fazën përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në Holandë, pas më shumë se katër vjetesh nga arrestimi i tyre dhe rreth tri vjet nga fillimi i procesit gjyqësor në prill 2023. Në këtë etapë, prokuroria, ekipet mbrojtëse dhe të pandehurit do të mbajnë deklaratat përfundimtare në gjykatë, ku secila palë do të përmbledhë provat dhe argumentet e veta para trupit gjykues.
Sipas aktvendimit të gjykatës, prokuroria do të ketë deri në tetë orë për fjalën e saj përfundimtare, ndërsa secili ekip mbrojtës do të ketë rreth katër orë e gjysmë, ndërsa të pandehurit vetë do të kenë rreth 20 minuta për t’u drejtuar trupit gjykues. Pas përfundimit të kësaj faze me fjalët përfundimtare, trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje, me afat tre muajsh për dhënien e vendimit përfundimtar, me mundësinë e zgjatjes së këtij afati sipas nevojës.
Ky vit konsiderohet vendimtar për të katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Dhomat e Specializuara, pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës me personel ndërkombëtar, janë financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe janë themeluar në vitin 2015 për të hetuar dhe gjykuar krimet e dyshuara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.