Urdhër-arresti për Milan Radoiçiç, serbi kërkohet për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar një urdhër arresti për Milan Radoiçic dhe 19 serbë të tjerë, për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”. Kërkesa është bërë nga Prokuroria Speciale.
“Ata dyshohet se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë nga data 7maj e deri me datë 10 maj të vitit 1999, bashkë me pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të uniformuar, filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezent duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe më pas i vranë gjithsej 106 civil të nacionalitetit shqiptar”, njoftoi Gjykata Themelore e Prishtinës.
Pas luftës trupat e tyre u gjeten në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.
Po ashtu, në dokument thuhet se ky grup personash, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human dhe nuk iu ofroheshin gjërat elementare si ushqimi i rregullt, higjena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”.
Në fund, sipas Gjykatës Themelore, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Për të gjithë të pandehurit që është lëshuar fletarresti, autoritetet e Kosovës nuk e dinë adresën e tyre. Ndërkaq, në mesin e tyre është edhe Llazar Drashkoviq, ndaj të cilit ka edhe një urdhërarrest aktiv ndërkombëtar lidhur me masakrën e Mejës.