Fjalimi në Athinë/ Rama flet për racizmin grek dhe ligjin e luftës

Në opinionin publik grek pati shqetësim para vizitës së Edi Ramës në Athinë, se mos kryeministri i Shqipërisë e përdorte tubimin me emigrantët shqiptarë për të ndikuar në votën e tyre për zgjedhjet e eurodeputetëve në parlamentin europian. Por nga mesazhet që dha në Athinë, duket se Rama kishte në mendje zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, më shumë se ato europiane në Greqi. Atyre që i thanë se nuk duhej të vinte në Athinë për të takuar emigrantët shqiptarë, Rama u ktheu përgjigje me ironi.
“Shqipëria është kaq mikpritëse për grekët sa nuk i krijon asnjë telash, përkundrazi i krijon të gjitha kushtet edhe ndonjë politikani të keqkuptuar grek që vjen të protestojë atje, pastaj vjen humb zgjedhjet këtu. Bujrum, si në shtëpinë tuaj!” u shpreh ai.
Tubimi në stadiumin Galatsi të Athinës ishte konceptuar si një miting elektoral me këngë shqiptare dhe fjalime të funksionarëve të Partisë Socialiste nën valëvitjen e flamujve kuqezi. Takimi kulmoi me një fjalim pa komplekse të Ramës ndaj politikës greke, ku nuk munguan tonet patriotike dhe u prekën disa nga temat më të ndjeshme për emigrantët tanë në vendin fqinj.
“Nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie, me qytetarët e barasvlefshëm të Greqisë dhe të Europës” e nisi Rama fjalimin duke ngacmuar ndjenjat e shqiptarëve, që ruajnë ende në kujtime paragjykimet dhe racizmin e grekëve, pas viteve 90.
Pikërisht në evokimin e të shkuarës, me sakrificave dhe vështirësive të emigrimit, Rama ka marrë edhe brohoritjet më të mëdha nga mbështetësit e tij në emigrim. Kur kujtoi se si ata dilnin “pa dalë drita për të pritur nëpër sheshe si kuaj në pazarin e gjësë së gjallë, afendikonjtë që iu merrnin për një punë të zezë krahu” apo kur u tha se si“u përballën me gjithfarë shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër”.
Por ndërsa kujtoi peripecitë e emigracionit, Rama nuk nguroi të përmendë edhe operacionet “Fshesa”, të zbatuara nga policia greke gjatë kohës që kryeministër ishte Konstandin Mitsotakis, babai i kryeministrit të sotëm grek, Kiriakos Mitsotakis.
“Fshesat e zeza” i quajti Rama kur i krahasoi me shpërnguljet me dhunë të çamëve, por pa ia përmendur emrin komunitetit shqiptar që ra pre e genocidit grek shekullin e kaluar.
“Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit XX kur ju shkulnin nga shtëpitë me rrobat e trupit nëpër natë për t’ju deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me dhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veriun e Greqisë. Shumë ndër ju ndërruat emrat që ju kishte vënë nëna dhe baba për të marrë dokumentat e punës dhe regjistruar fëmijët në shkollë.
Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faj i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë por, ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu” u shpreh Rama.
Kryeministri gjithsesi bëri një ndarje në marrëdhënien mes dy popujve dhe atë mes dy shteteve. Në tubimin e Athinës, ai trajtoi edhe mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës nga Greqia, si një absurditet që ka të bëjë me pronat e shtetasve në anën tjetër të kufirit dhe një çështje për të cilën kishte diskutuar me homologun e tij grek.
“Rri akoma në fuqi ligji i luftës së Greqisë me Shqipërinë. Ai ligj i 10 nëntorit 1940 përcakton ç’bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte dhe po atë ditë me dekret mbretëror ligjërohet që gjendja e luftës më Italinë dhe me Shqipërinë. Në vitin 1947 Greqia ratifikon traktatin e paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron. Ndërsa me Shqipërinë dekreti i gjendjes së luftës dhe për rrjedhojë pasojat e ligjit të luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet kanë miratuar traktatin e miqësisë. Po si ka mundësi në mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie, që janë bashkë në NATO prej 15 vjetësh, të mos jetë shfuqizuar akoma gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte të 84 viteve më parë?”
Gjatë fjalimit që mbajti për rreth një orë, kryeministri Rama nuk e përmendi Fredi Belerin, elefantin në dhomë, emrin që sot ngërthen konfliktin më të mprehtë mes dy qeverive dhe që një vit më parë, pikërisht në datën 12 Maj u arrestua nga forcat operacionale.
12 Maji sipas mediave greke nuk u zgjodh rastësisht për tubimin e Ramës në Athinë. Simbolika ka të bëjë me arrestimin e Belerit dy ditë para se ai të zgjidhej kryetar bashkie përmes një votimi ku shqiptarët që jetonin në Greqi ishin decizivë.
Vota e tyre për Belerin, me mbështetjen direkte të Mitsotakis provokoi atëherë shpërthimin e Ramës në një batare sharjesh dhe akuzash për kandidatin që sipas tij vinte nga skutat më të errta të nacionalizmit primitiv.
Dhe kur foli për “primitivizmin nacionalist”, Rama u shpreh se “gjallojnë sot e gjithë ditën mes dhe brenda nesh gjarpërinjtë e luftërave, konflikteve, sherreve, ndasive të cilët na kanë pickuar, helmuar, përgjakur, rrëzuar e penguar shumë herë përgjatë rrugës sonë të përbashkët dhe të pandashme si shqiptarë dhe si grekë”.
Por në fjalimin që mbajti për thuajse një orë, Rama e shmangu emrin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës që tashmë kandidon për në Parlamentin Europian nën logon e partisë së drejtuar nga Mitsotakis. Edhe pse Greqia ka vendosur veton për bllokimin e hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, Rama u tregua i kujdesshëm me Mitsotakis.
Ai e vlerësoi homologun e tij për komunikimin e hapur, në dallim nga opozita greke që kishte refuzuar komunikimin me socialistët, edhe pse i përkasin të njëjtës përkatësi ideologjike.
“Tek kryeministri aktual i Greqisë unë kam gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve, ndërkohë më është e pamundur mos ua them, se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke, unë e kam pasur shumë të vështirë t’i kuptoj, përveçse si luftë të brendshme politike, por s’është as puna ime t’u jap atyre mend edhe pse në fakt jemi në një familje politike europiane dhe edhe mend mund t’u japim njëri-tjetrit, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër kur edhe në Shqipëri ne kemi një opozitë që bën ekzakt të njëjtën gjë, sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë, duke iu fryrë pa sukses burive të nacionalizmit elektoral, por thjesht, do t’u thosha sot shumë miqësisht, meqë jam edhe këtu në Athinë dhe me siguri dëgjojnë, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë dhe të komentojnë qëndrimet e qeverisë socialiste të Shqipërisë, me siguri do t’i ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt, edhe një komunikim i drejtpërdrejtë mes sivëllezërve të tyre në Tiranë.” tha Rama.
Kryeministri është kujdesur që fjalimi i tij në Athinë të dëgjohej mirë. Përveç këngëtarëve, Rama kishte marrë me vete edhe thuajse 50 gazetarë duke konfirmuar se më shumë se për veshët e grekëve, për të ka rëndësi që fjalimi të bjerë në veshët e votuesve të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare./Lapsi.al