Serbia, varrim shtetëror për kriminelin Mlladiç? Vuçiq: Jemi gati
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia është e gatshme të organizojë varrimin e Ratko Mlladiqit, nëse familja e tij vendos që ish-komandanti serb i Bosnjës të prehet në territorin serb. Vuçiq tha se ekipet shtetërore janë vënë në lëvizje për çështjet logjistike, megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar nga familja apo dokumentacion nga Haga.
Vuçiq sulmoi gjithashtu gjykatën e Hagës, duke pretenduar se autoritetet “donin që Mlladiq të vdiste pas hekurave” dhe duke e cilësuar moslejimin e kthimit të tij në Serbi si “sjellje anti-civilizuese”.
Ratko Mlladiq vdiq në moshën 85-vjeçare ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai ishte shpallur fajtor ndër të tjera për gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik 1995 u vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si edhe për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.