Lidhje


KFOR nis tërheqjen nga ura e Ibrit, BE vendos kushtet për hapjen

 

Bashkimi Evropian kërkon që çdo hap drejt hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve të shoqërohet me koordinim efektiv mes institucioneve qendrore të Kosovës dhe komunave të prekura, si dhe me konsultime kuptimplota me komunitetet lokale.

 

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, deklaroi më 18 gusht se qëndrimi i BE-së mbetet i pandryshuar, duke kërkuar njëkohësisht që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ura aktualisht është e kalueshme për këmbësorët, por vazhdon të jetë e mbyllur për automjetet.

 

Deklarata e Brukselit vjen vetëm pak ditë pasi KFOR-i konfirmoi nisjen e një “tranzicioni gradual” të pranisë së tij të përhershme në urë. Misioni i NATO-s e lidhi vendimin me situatën e sigurisë dhe optimizimin e dislokimit të forcave, ndërsa bëri të ditur se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe në koordinim me aktorët përkatës. KFOR-i do të vazhdojë të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe më gjerë në veri të Kosovës.

 

Ura mbi Ibër, që lidh pjesën jugore me shumicë shqiptare me pjesën veriore me shumicë serbe të Mitrovicës, mbetet një nga pikat më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në Kosovë. Hapja e saj për trafik ishte parashikuar në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi dhe, sipas planit të zbatimit të vitit 2016, duhej të realizohej në janar 2017. Edhe pse revitalizimi i urës, me një investim prej rreth 1.5 milionë eurosh, përfundoi në vitin 2018, ajo nuk u hap asnjëherë për automjetet.

 

Përpjekjet e Prishtinës për ta hapur urën kanë hasur në kundërshtimin e serbëve lokalë dhe në kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë që çdo ndryshim të realizohet në koordinim me ta. Tashmë, me reduktimin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në urë, çështja e hapjes së saj rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.

XS
SM
MD
LG