Lidhje


Tirana e Prishtina kundër Zelenskyyt: Kosova është realitet i pakthyeshëm

 

Deklarata e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd, se Kievi nuk e ndryshon qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës dhe respekton integritetin territorial të Serbisë, ka shkaktuar reagime zyrtare në Prishtinë dhe Tiranë.

 

Ministri në detyrë i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu keqardhje për deklaratën dhe kundërshtoi çdo trajtim të Kosovës përmes integritetit territorial të Serbisë. Ai kujtoi se Kosova ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus, duke vendosur sanksione ndaj Moskës dhe duke ofruar ndihmë, ndërsa theksoi se rasti i Kosovës nuk mund të përdoret si precedent për pushtimet dhe aneksimet ruse në Ukrainë. Konjufca tha gjithashtu se Prishtina do ta mirëpriste njohjen nga Kievi.

 

Reagim erdhi edhe nga Shqipëria. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi zyrtarisht se çdo përpjekje për ta barazuar Kosovën me raste të tjera ndërkombëtare është “e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese”. Tirana kujtoi opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe deklaroi se stabiliteti i Ballkanit kërkon pranimin e “realitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës”, duke mbështetur njëkohësisht integritetin territorial të Ukrainës.

 

Në Prishtinë reagimi mori edhe formë simbolike: autoritetet e kryeqytetit hoqën nga qendra e qytetit mbishkrimin “Free Ukraine”, të vendosur pas nisjes së pushtimit rus. Kryetari Përparim Rama deklaroi se solidariteti me Ukrainën vazhdon, por se respekti duhet të jetë reciprok dhe se shtetësia e Kosovës nuk mund të nënçmohet.

 

Ndërkohë, reagimet kanë kaluar edhe brenda Ukrainës. Deputeti Oleksiy Goncharenko e cilësoi deklaratën e Zelenskyyt një “gabim diplomatik” dhe kërkoi njohjen e Kosovës nga Ukraina.

XS
SM
MD
LG