Kosova hyn në numërimin mbrapsht: Kuvendi mblidhet më 6 gusht, dështimi hap rrugën për zgjedhjet e katërta
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar 6 gushtin, në orën 10:00, për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Data është vendosur vetëm një ditë përpara afatit të fundit kushtetues, 7 gushtit, ndërsa Haxhiu u bëri thirrje partive parlamentare të përdorin kohën e mbetur për arritjen e një marrëveshjeje politike. Ajo deklaroi se dialogu nuk duhet parë si dobësi, por si përgjegjësi demokratike për krijimin e institucioneve.
Seanca e 6 gushtit do të hapë një prej periudhave më kritike politike për Kosovën. Nga konstituimi i Kuvendit nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse kreu i shtetit nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Rreziku i një tjetër krize mbetet i lartë, pasi negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërpreu bisedimet me Albin Kurtin pas dorëzimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë dhe votëbesimin ndaj tij. LDK-ja ende nuk ka njoftuar datën e mbledhjes ku do të vendoset fati i Abdixhikut.
Sipas rezultateve të certifikuara, LVV-ja ka fituar 53 mandate, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për konstituimin e Kuvendit dhe votimin e Qeverisë nevojiten së paku 61 vota në parlamentin me 120 deputetë. LVV-ja mund ta arrijë këtë prag me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joserbe, por zgjedhja e presidentit kërkon një marrëveshje më të gjerë politike.
Në dy raundet e para të votimit për presidentin kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve. Për këtë arsye, edhe nëse LVV-ja siguron votat për Kuvendin dhe Qeverinë, opozita mund ta bllokojë procesin presidencial duke mos marrë pjesë në seancë. Një marrëveshje me LDK-në do t’i siguronte kampit të Kurtit të paktën 81 deputetë, por kriza e brendshme në këtë parti i ka ngrirë negociatat.
Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor pikërisht pas dështimit të partive për të zgjedhur presidentin. Nëse edhe procesi i ri dështon, vendi mund të përballet me zgjedhjet e katërta parlamentare që nga shkurti 2025, duke hyrë në një cikël të ri bllokade institucionale.