Lidhje


Burimet: Kurti dhe Abdixhiku bien dakord për qeverinë, por një krizë në LDK rrezikon gjithçka

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur, sipas burimeve të KOHËS, një pajtim në parim për formimin e koalicionit të ri qeverisës dhe ndarjen e tri posteve kryesore shtetërore. Dakordimi raportohet se është arritur gjatë një takimi mbi dyorësh mes Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe presidentes Vjosa Osmani, por nuk është konfirmuar zyrtarisht nga palët.

 

Sipas formulës së negociuar, LDK-ja do të merrte zëvendëskryeministrin e parë, tri ministri dhe drejtimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Vetëvendosje do të ruante drejtimin e Qeverisë dhe të drejtën për të propozuar kandidatin për presidentin e ardhshëm.

 

VV-ja ka 53 deputetë dhe LDK-ja 18, duke siguruar së bashku 71 vota. Me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve joshumicë, partnerët synojnë të arrijnë pragun prej 80 deputetësh të pranishëm, të nevojshëm për nisjen e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

 

Megjithatë, marrëveshja është futur menjëherë në rrezik nga kriza e brendshme në LDK. Gjashtë nga 18 deputetët e saj — Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Arben Gashi — kanë shprehur pakënaqësi ndaj drejtimit të Abdixhikut. Pa praninë e tyre në sallë gjatë votimit të presidentit, paketa politike mund të mos zbatohet.

 

Situata është përkeqësuar më tej pas dorëzimit të nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së dhe shqyrtimin e shkarkimit të Abdixhikut. Në përgjigje, kreu i LDK-së njoftoi pezullimin e përkohshëm të të gjitha angazhimeve për formimin e institucioneve, duke deklaruar se nuk mund të negociojë në emër të partisë ndërkohë që mandati i tij vihet në diskutim.

 

Kështu, marrëveshja që mund t’i jepte fund ngërçit institucional të Kosovës mbetet aktualisht vetëm një dakordim i paraportuar zyrtarisht. Fati i saj varet tashmë nga beteja për drejtimin e LDK-së dhe nga gatishmëria e deputetëve të pakënaqur për të garantuar kuorumin presidencial.

 

 

XS
SM
MD
LG