“Momenti i krisjes” - Glauk Konjufca zbulon si nis përplasja mes Kurtit dhe Osmanit
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se marrëdhëniet mes partisë në pushtet dhe ish-presidentes Vjosa Osmani kanë filluar të përkeqësohen gjatë vitit 2024, duke theksuar se një fjalim i saj në Kuvend është perceptuar si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë së Kosovës.
“Pse t’ia japim Kosovës një presidente e cila me siguri të madhe do ta dinim se do ta godiste qeverinë në vazhdim deri në vitin 2030 kur është qeveria me mandat?”, ka deklaruar Konjufca në Debat Plus, duke dhënë edhe argumentet se pse nuk e kanë mbështetur Vjosa Osmanin.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Dukagjinit, Konjufca tha se fjalimi i Osmanit në fund të vitit 2024, kur ajo kritikoi qeverinë për mënyrën e trajtimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësonte sipas tij një ndarje të rrugëve mes saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai shtoi se periudha 2022-2023 ka qenë më e qëndrueshme dhe më bashkëpunuese në raportet institucionale me Osmanin, ndërsa më pas, sipas tij, është shënuar një thyerje në këto marrëdhënie. Konjufca u shpreh se deklaratat publike të ish-presidentes janë interpretuar si distancim nga qëndrimet e qeverisë dhe si sinjal i qartë se ajo nuk ndante më të njëjtat linja politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, këto zhvillime janë reflektuar edhe në skenën politike dhe në proceset zgjedhore, duke theksuar se qytetarët e kanë perceptuar këtë ndryshim qëndrimesh. Megjithatë, Konjufca theksoi se jo të gjitha arsyet e ndarjes së raporteve mund të bëhen publike, duke argumentuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i përdor çështjet e ndjeshme shtetërore si instrument politik apo elektoral.
Ai shtoi se çështja e marrëdhënieve me ish-presidenten mund të shpjegohet më gjerësisht nga kryeministri ose përfaqësues të tjerë të qeverisë, nëse kjo konsiderohet e nevojshme për opinionin publik.