Serbia shpërblen kriminelët e Banjskës: kompanitë e Vesellinoviqit marrin leje dhe kontrata milionëshe
Kompanitë e lidhura me biznesmenin serb nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, po zgjerojnë aktivitetin në zonën e Sjenicës, pikërisht pranë trasesë së planifikuar të autostradës që duhet të lidhë Serbinë me Malin e Zi.
Sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë, dy gurore në pronësi kryesisht të kompanive të Vesellinoviqit kanë marrë leje shtetërore për shfrytëzim, ndërsa në dy lokacione të tjera kompanitë kanë marrë leje për kërkime gjeologjike për rezerva të reja guri gëlqeror.
Vesellinoviq, ish-partner biznesi i Millan Radoiçiqit, ndodhet prej vitesh nën sanksione të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për dyshime që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion. Megjithatë, shteti serb ka vazhduar t’u japë punë dhe leje kompanive të tij, përfshirë “Inkop”, “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka Aleksinac”. Vetëm në fund të vitit 2025, këto kompani kanë raportuar rreth 9.8 milionë euro fitim.
Kompania “Novi Pazar-put” ka marrë leje për shfrytëzim guri pranë fshatit Bugjevo, ku rezervat llogariten në rreth 1.5 milion tonë, ndërsa kompania “Hots Kop”, tashmë në pronësi të Vesellinoviqëve, ka marrë leje për gurore në Rasno, ku rezervat vlerësohen mbi 7.7 milionë tonë. Ky gur përdoret si material ndërtimor për rrugë, në një kohë kur autostrada drejt Malit të Zi është shpallur prioritet nga qeveria e Aleksandar Vuçiqit.
Hulumtimi tregon se kompanitë e Vesellinoviqit kanë përfituar edhe nga projekte të mëdha infrastrukturore në Serbi, shpesh si nënkontraktore të kompanive kineze në projekte të dhëna pa tender. Një prej tyre është “Korridori i Danubit”, projekt që fillimisht kushtonte 337 milionë euro, por çmimi i të cilit është rritur në 524 milionë euro.
Në sfond mbetet lidhja me Radoiçiqin, i cili u tërhoq nga pronësia në “Inkop” pasi pranoi publikisht se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë në vitin 2023. Pjesën e tij ua dhuroi vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq. Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare dhe akuzave për krim të organizuar, biznesi i tyre me shtetin serb ka vazhduar, ndërsa kompanitë kanë zgjeruar pasuritë në rrugë, gurore, ndërtime, prona dhe hoteleri.